Zv. kryeministri Gashi takohet me nënkryetarin e Parisit, Christophe Girard

Në ditën e fundit të vizitës në Paris, zv. kryeministri Gashi ka marrë pjesë në pritjen për bizneset e diasporës dhe ato të Kosovës në Ambasadën e Kosovës në Paris. Njëkohësisht, ai ka takuar edhe nënkryetarin e qytetit të Parisit, Christophe Girard.

Me këtë të fundit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit kulturor, në veçanti në fushën e artit vizual, ndërsa si person me ndikim në politikën franceze, nga Girard  u kërkua që të ndikojë në sigurimin e mbështetjes për Kosovën në fushën e liberalizimit të vizave.

“Kam qenë në Prizren dhe e kam vizituar DokuFestin…  është një festival i përmasave botërore, të cilin jam i vendosur  ta mbështes”, tha Girard, duke u shprehur i njohur për vështirësitë e kosovarëve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe duke premtuar se do të bëjë çfarëdo që mundet që të përçohet mesazhi i duhur te njerëzit e duhur.

Girard, po ashtu, u shpreh i gatshëm që përmes bashkëpunimit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetit të Parisit të themelohet edhe një qendër kulturore, e cila është shumë e rëndësishme në këtë qytet.

Zv. kryeministri Gashi, duke e falënderuar për mbështetjen dhe për idetë që ofroi, e ftoi z. Girard për një vizitë në Prishtinë.

Gjatë ditës, Gashi takoi edhe përfaqësuesit e bizneseve kosovare, të cilat kanë ekspozuar produktet e tyre në panairin më të madh botëror të ushqimit, SIAL, si dhe kryetarin e Rrjetit të bizneseve shqiptare në Francë, Azis Vardar.

“Nga bisedat që pata, kuptova se panairi, në të cilin  pjesëmarrjen e kemi financuar ne si Qeveri, është treguar i suksesshëm, duke dhënë rezultat disa kontrata e marrëveshje të nënshkruara… Kjo është një shenjë inkurajuese që ta vazhdojmë këtë ndihmë për bizneset tona, të vendosim ura bashkëpunimi me bizneset shqiptare në diasporë dhe bashkërisht të punojmë për një mirëqenie sociale”, tha zv. kryeministri Gashi.

Bizneset edhe njëherë kanë falënderuar institucionet e Kosovës për mbështetjen e ofruar, përderisa morën garanci për mbështetje edhe në panairet e ngjashme në të ardhmen.