Zëvendëskryeministri Gashi merr pjesë në 30-vjetorin e shoqatës “Migjeni” në Lubjanë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka marrë pjesë në 30-vjetorin e themelimit të shoqatës “Migjeni” në Lubjanë të Sllovenisë.

Zëvendëskryeministri Gashi ka vlerësuar lart kontributin që kjo shoqatë ka dhënë për Kosovën nē vitet e vështira, kur liria ishte pak e prekshme.
Gashi ka kujtuar se pjesë e shoqatës “Migjeni” u bënë pikërisht ata studentë oficerë e kadetë që u shtypën nga sunduesi i shfrenuar serb.

Ai ka përmendur emrin e Naim Malokut, Fehmi Lladrovcit e të Fadil Demirit që u burgosën në Zagreb.

Pas lirimit, ata dhe shumë të tjerë u bashkuan te “Migjeni” duke u bërë baza e një sistemi të ri, që më vonë kulmoi me krijimin e degëve të LDK-së, në krye me Ibrahim Rugovën.

Fadil Demirit, Naim Malokut, e Gjon Simonit më pas  iu bashkuan edhe Ukshin Hoti, Halil Matoshi e shumë të tjerë, të cilët bashkë i vunë bazat e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, duke zgjedhur urtësinë si bindje politike.

Ata u mbështetën edhe nga inteligjenca  sllovene.

Në këtë përvjetor kanë marrë pjesë edhe ministri i Diasporës shqiptare, Pandeli Majko, dhe figura të tjera politike e akademike.