U themelua Këshilli i Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Slloveni

Në kryeqytetin slloven, Lubjanë, më 10.12.2018 u themelua Këshilli i Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” .

Kuvendi themelues u mbajt në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Slloveni. Në këtë Kuvend, ku ishte edhe përfaqësuesi i MDIS-it, Ymer Avdiu, u miratua Statuti i Këshillit, kurse punën e Kryesisë, derisa të regjistrohet Këshilli në institucionet sllovene, do ta udhëheqë Këshilli themelues: Alma Bejtullahu, kryesuese, dhe anëtarët Vera Haliti, Armanda Amiti, Heset Ahmeti dhe Fadil Jasharaj.

Krahas mësuesve që punonin deri tash, për mësimdhënie  janë angazhuar edhe disa mësues të rinj në qytete të ndryshme të Sllovenisë, si në Maribor, Shentjur, Celje, Zhalec, Velenje, Lubjanë etj.  Ndërkohë, në bashkëpunim me shkollat sllovene, këto ditë po punohet  për hapjen e klasave të reja në gjuhën shqipe, punë kjo që pritet të kryhet me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.