Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Si gjeneratë, sot, në këtë ditë, konsiderohemi fatlum – dhe pse historia nuk na ka trajtuar si të tillë. Kemi qenë dëshmitarë të luftës, gjenocidit e shtypjes ndaj nesh për dekada me radhë. Por sot, të gjithë ne duhet të ndjehemi të gëzuar, fatlum e të privilegjuar. Ishim dëshmitarë të punës e idealit të Presidentit historik Ibrahim Rugova, deri te sakrifica më sublime e vajzave dhe djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të udhëhequr nga komandanti Legjendar, Adem Jashari. Kjo solli që sot, Kosova të ketë ushtri.

Ngjyrat të cilat të rejat e të rinjtë e Kosovës i bartin nën emblemën e Forcave të Armatosura të Kosovës simbolizojnë jo vetëm shtetësi, por ngjallin krenari tek secili prej nesh. Kjo uniformë do të jetë personifikim i paqës e jo luftës… e të ardhmes, e demokracisë, e aleancave me shtetet që na ndihmuan të vijmë në këtë pikë, ShBA-të, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Austria… Po ashtu, asnjëri prej nesh nuk guxon të harrojë kontributin e pazëvendësueshëm të diasporës tonë të shpërndarë anëkënd botës, për lirinë dhe për ditën që gëzojmë sot.

Ushtria që sot u themelua shërben si pikë nisëse e integrimit tonë në NATO, ku përkrah botës demokratike si edhe përgjatë historisë ashtu dhe në të ardhmen do të rreshtohemi kundër të keqes.

Kosova shtetësinë e merituar e nisi me angazhimin politik të Presidentit Rugova, e vazhdoi me UÇK-në në vitin 1999 dhe e konfirmoi në vitin 2008. Tash në këtë 14 dhjetor të vitit 2018, Republika jonë e çimentoi mëvehtësinë. Urime ju qoftë Ushtria e Republikës së Kosovës.

Zoti e bekoftë këtë Republikë të Kosovës miqtë tanë dhe shqiptarët kudo që janë.