Të mësohemi të ecim shqip

Me moton “Të mësohemi të ecim shqip”, më 10 nëntor 2018, në Cyrih, Zvicër, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me shkollën shqiptare të vallëzimit “SHOTA”, në kuadër të “Ditëve të kulturës shqiptare në diasporë”, organizoi aktivitetin për 25-vjetorin e themelimit të kësaj shkolle. Në këtë aktivitet, artistët e talentuar të kësaj shkolle dhanë një program kulturor nga repertori i  tyre.

Ceremonia u hap me përkujtimin për artistin dhe themeluesin e kësaj shkolle, Agron Bajrami, i cili ndërroi jetë para disa muajsh.

I pranishëm më këtë aktivitet, Faruk Nura, zv.ministër i MDIS-it, duke uruar për përvjetorin e shkollës shqiptare të vallëzimit “Shota”, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës,  me aq sa ka mundësi,  po mundohet që mërgatës sonë t’ia kthejë  sado pak, në mënyrë simbolike, mundin dhe angazhimin e madh që ka bërë me vite të tëra për të krijuar dhe për të konsoliduar shtetin e Kosovës.

Në këtë aktivitet morëm pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, znj. Nazane Breca, ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Iliri Gjoni, i ngarkuari me punë i Republikës së Maqedonisë, z. Halim Hyda, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Vladimir Thanati, Ibish Neziri, biograf i Sh.Sh.V “Shota”, si dhe shumë bashkatdhetarë.