Takime të MDIS-it për shkëmbim të përvojave ndërshtetërore me Italinë

Përfaqësues të Ministrisë së  Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, Arian Demiri, këshilltar i ministrit Dardan Gashi, Shqipe Krasniqi,  drejtoreshë  e Departamentit për Hulumtime  dhe Përkrahjen e Investimeve të Diasporës, dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë, bashkë me Sami Salihun nga ATK-ja, Kreshnik Thaçin  nga KIES-sa dhe Vat Marashin, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Itali, u takuan në Romë me Agjencinë Italiane të Tregtisë “Italian Trade Agency”,  e cila merret  me promovimin  e Italisë në botë, konkretisht me joshjen e investitorëve. Përfaqësues të kësaj agjencie njoftuan për punën që bën kjo agjenci dhe për politikat lehtësuese që kanë për bizneset.

Në takimin me ITA-n, delegacioni  nga MDIS-i paraqiti platformën e punës së institucioneve të Kosovës karshi investimeve të huaja në Kosovës.

Një takim tjetër, gjatë kësaj vizite, u mbajt edhe me Departamentin Italian të Diasporës, si pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.  Përfaqësues të këtij departamenti prezantuan politikat e tyre karshi diasporës italiane, politikat e emigracionit dhe organizatat ndërkombëtare që bashkë me institucionet e shtetit italian hartojnë politika për integrimin e diasporës së huaj në Itali.

Ndërkohë, delegacioni ynë i njoftoi përfaqësuesit italianë për organizimin e diasporës sonë nëpër botë, për shkollat shqipe të diasporës, për punën e qendrave kulturore, të cilat promovojnë kulturën shqiptare, për rrjetin e bizneseve e për shumë çështje të tjera me interes.

Po ashtu, delegacioni i MDIS-it u takua edhe me disa biznese arbëreshe, pjesë e Rrjetit të bizneseve shqiptare në Itali, të cilat u njoftuan për lehtësitë e investimit në Kosovë.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte shkëmbimi i përvojave me shtetin italian lidhur me trajtimin dhe krijimin e politikave për investime të diasporës.