Pjesëmarrësit e shkollës verore nga diaspora vizituan Luginën e Valbonës

Në kuadër të shkollës verore, e organizuar nga Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike, me nxënës dhe mësues nga vende të ndryshme të diasporës, që ka filluar më 6 gusht dhe do të vazhdojë deri më 10 gusht, dje më 8.8.2018 është zhvilluar një vizitë me karakter mësimor-njohës në qytetin e Pejës, të Gjakovës dhe në Tropojë-Valbonë, Shqipëri. Pjesëmarrësit e shkollës verore, nxënës dhe mësues nga diaspora, kanë vizituar Valbonën, panë bukuritë e kësaj treve atraktive, u njohën nga afër me historinë dhe me karakteristikat gjeografike të Malësisë së Gjakovës dhe, njëkohësisht, zhvilluan aktivitete sportive dhe bënë një ecje (hiking) të shkurtër. Në mbrëmje vazhduan aktivitetet në Rugovë, ku po mbahet shkolla verore.

Është kjo shkolla e dytë verore e tipit kamp që MDIS-i organizon me fëmijët shqiptarë që ndjekin mësimin plotësues në diasporë, e cila po ndikon në shtimin e interesimit për rritjen e numrit të fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues në diasporë e që rrjedhimisht ndikon në ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor të këtyre fëmijëve, lidhjen e tyre me vendin e origjinës dhe njohjen ndërmjet tyre, si dhe këmbimin e përvojave të mësimit të mësuesve nga vende të ndryshme.

Në të dyja shkollat verore morën pjesë rreth 100 nxënës shqiptarë  nga vende të ndryshme të diasporës, në mesin e të cilëve edhe një numër i nxënësve nga Kosova.