Në Slloveni u mbajt seminari rajonal i mësuesve të diasporës

Në Maribor të Sllovenisë u mbajt seminari i trete rajonal me mësuesit shqiptarë të Sllovenisë Kroacisë, Italisë, Austrisë dhe të landit të Bavarisë nga Gjermania. Ky seminar u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Në të morën pjesë 30 mësues shqiptarë dhe veprimtarë që ndihmojnë mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, në mesin e tyre edhe tre pedagogë sllovenë.

Gjatë tri ditëve, sa zgjati seminari, u paraqitën 13 trajtesa nga fusha e didaktikës dhe u zhvillua një debat gjithëpërfshirës nga fusha e mësimdhënies dhe e organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë.

Në hapje të seminarit morën pjesë ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, z. Avni Kastrati, dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë,  Pëllumb Qazimi.

Vlen të potencohet se me këtë rast u themelua edhe këshilli nismëtar për formimin e këshillit të mësuesve shqiptarë të Sllovenisë dhe u mor iniciativa për rihapjen e paraleleve në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Maribor, që ishin mbyllur para shumë vjetësh.