Në Rugovë filloi shkolla verore

Pas kampit të parë në fund të korrikut, këto ditë në Rugovë të Pejës po mbahet shkolla verore me nxënës shqiptarë nga diaspora. Shkolla verore, e cila po organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, ka filluar prej 6 gushtit dhe do të zgjasë deri më 10 gusht.
Pjesë e këtij aktiviteti janë nxënës dhe mësues nga Greqia, Italia, Gjermania, Franca dhe nga Kosova.
Qëllimi i kësaj shkolle është zgjerimi i njohurive të fëmijëve nga diaspora për gjuhën shqipe, përafrimi me vendlindjen, por edhe krijimi i kontakteve me moshatarët e tyre nga Kosova.
Gjatë qëndrimit në këtë kamp/shkollë, nxënësit do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme me karakter socializues, por edhe argëtues. Do të ketë aktivitete sportive e lojëra që nxitin mendimin kritik, aktivitete këto që ndihmojnë për ruajtjen dhe përvetësimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.
Pjesëmarrësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë edhe vizita që do të kenë karakter njohës.
Me këtë rast, ata do të njihen me bukuritë natyrore të Kosovës, përmes vizitave që do t’u bëjnë Rugovës, Valbonës e Drinit të Bardhë.
Në përfundim, nxënësit nga diaspora do të pajisen me certifikata për pjesëmarrje.