Në Prekaz shënohet Dita e Diasporës

Ministria  e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Komunën e Skenderaj, më 1 gusht mbajti manifestimin qendror në Prekaz/Skenderaj.

Manifestimi nisi me homazhet te varrezat e Jasharëve, për të vazhduar në Skenderaj, me një koncert festiv për nder të bashkatdhetarëve.

Në këtë manifestim, përveç ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi,  qenë të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetari i bashkisë Piana degli Albanesi në Sicili, arbëreshi Rosario Petta, e përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.

Ministri Gashi dhe homologu i tij, Pandeli Majko, theksuan se nga Prekazi përçohet mesazhi se diaspora është një dhe e pandarë.

“Falënderoj bashkatdhetarët për ndihmesën dhënë vendlindjes në momentet më të rënda, duke kontribuar për lirinë që e gëzojmë sot. Shteti i Kosovës do të jetë mirënjohës për angazhimin, rolin  dhe punën tuaj”, tha presidenti Thaçi në fjalën e tij para të pranishmëve.

“Vazhdoni të besoni në atdheun tuaj, në vendin e origjinës. Së bashku ta forcojmë Kosovën, që të bëhet sikur vendet në të cilat jetoni”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Haradinaj.

“Me mburrje e krenari duhet të pranojmë se pa diasporën shteti ynë nuk do të ishte këtu ku ndodhet sot. Duke qenë se diaspora shqiptare është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit pozitiv të mbarë kombit tonë, ne si institucione kemi obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, pa marrë parasysh shtetin ku ata jetojnë”, theksoi kryetari i Skenderajt Bekim Jashari.

Ndërsa, ministri i shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha: ”Sa herë shkojmë në vende të ndryshme të botës, themi se shqiptarët kanë një diasporë, sepse shqiptarët kudo që janë, janë një”. Majko u shpreh se duhet të hapet kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se më 1 janar fillon lëvizja e lirë midis Shqipërisë dhe Kosovës.