Në Athinë u mbajt seminari me mësues shqiptarë të Greqisë

Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë të Greqisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, e mbështetur nga SHLP e Cyrihut dhe nga shoqatat e shqiptarëve në Greqi, më 1 dhe 2 dhjetor në Athinë u mbajt seminari profesional i mësuesve shqiptarë në Greqi. Qëllimi i mbajtjes së seminarit,  ku morën pjesë mbi 50 mësues dhe veprimtarë që e ndihmojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe në tërë territorin e Greqisë, ishte  konsolidimi i mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, si dhe ngritja e cilësisë së tij.

Temat e shtjelluara në seminar ishin: kurrikula e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë; planifikimi i mësimit me grup-mosha të ndryshme dhe parimi i diferencimit; përkrahja e  të folurit në gjuhën e parë; përkrahja e të shkruarit në gjuhën e parë; përkrahja e të lexuarit në gjuhën e parë; rreth përdorimit të dialektit dhe gjuhës letrare dhe  zhvillimi i kompetencës ndërkulturore.

Në  seminar, pos të tjerash, u fol edhe për gjendjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare gjithandej nëpër botë, për numrin jo të kënaqshëm të fëmijëve shqiptarë të moshës shkollore në mësimin e gjuhës shqipe, faktorët që ndikojnë në këtë proces dhe rolin që luajnë shoqatat e mësuesve dhe shoqatat shqiptare në organizmin më cilësor të mësimit plotësues në diasporë.