Mbahen konsultimet publike në Berlin, Dusseldorf, Stutgard dhe Minhen

Delegacioni i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike së bashku me deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndaluan në Republikën Federale të Gjermanisë për të prezantuar projekt Ligjin e diasporës para bashkatdhetarëve si dhe për të dëgjuar shqetësimet e diasporës tanë të cilat i preokupojnë.

Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin, në ambasadën e Republikës së Kosovës me një fokus grup të zgjedhur të juristëve, kryetarëve të shoqatave dhe bizneseve, ligji u diskutua nga zyrtarë të MDIS dhe kryetares së Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani dhe deputetët Time Kadriaj, Doruntinë Maloku, Fitore Pacolli dhe Glauk Konjufca.

Pikat më të diskutuara gjatë këtij konsultimi ishin nevoja për hapjen e qendrave kulturore, mësimi në gjuhën shqipe në diasporë dhe kanali i veçantë televiziv për diasporën.

Po ashtu edhe gjatë takimit në Dusseldorf, pas vizitës që u bë njërës nga kompanive më të suksesshme shqiptare në Gjermani, HEBY Brandschutz me pronar afaristin e njohur Bekim Bytyqi, diskutimi publik u përqendrua më shumë në rritjen e numrit të fëmijëve në shkollën shqipe, si dhe intensifikimin e aktiviteteve kulturore të bashkë organizuara nga Ministria me qëllim të ruajtjes së identitetit kombëtar.

Në Stutgart dhe Minhen, në prani të një numri të madh të bashkatdhetarëve duke mos u anashkaluar temat kryesore që përfshihen në projekt Ligjin, u diskutua edhe për investimet strategjike dhe mënyrat se si një kompani nga diaspora mund të kualifikohet si investitor strategjik.