Konsultimet për Projektligjin e Diasporës vazhdojnë në Francë, bashkë me deputetët e Kuvendit të Kosovës

Anëtarët e grupit  të punës për hartimin e Projektligjit për Diasporën nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, së bashku me nënkryetaren e parë të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme për Diasporë dhe Investime Strategjike, znj. Time Kadriaj, dhe anëtaren e këtij komisioni, deputeten znj. Fitore Pacolli, i kanë përfunduar konsultimet publike për këtë projektligj në Republikën e Francës, përkatësisht në qytetin e Parisit dhe atë të Lionit.

Në Paris, në teatrin e mirënjohur “Le Palace”, pronë e afaristit të njohur shqiptar në Francë, njëherësh kryetarit të rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare në Francë, Hazis Vardar, konsultimet publike u mbajtën me një grup të afaristëve, pjesë e këtij rrjeti, dhe me pjesëtarë të diasporës në Paris.

Ditën pasuese, delegacioni i njëjtë udhëtoi edhe në Lion, ku nikoqir i takimit ishte shoqata “Iliria” e Lionit, ndërsa gjatë diskutimit u morën shumë sugjerime për t’u inkorporuar në projektligjin e prezentuar.

Organizimi i këtyre takimeve u bë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Francë, ndërsa konsultimet publike do të vazhdojnë sipas agjendës edhe në Zvicër, ku do të marrin pjesë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.