Gashi para Komisionit parlamentar: Kanal i diasporës vetëm i përbashkët mes RTK-TVSH

Zv. kryeministri / Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për të dytën herë brenda një periudhe prej 3 muajsh, por kësaj rradhe me kërkesë të Ministrisë të cilën e drejton, ka raportuar para Komisionit për Punë të jashtme, Diasporë dhe Investime strategjike.
Në takimin konsultativ, në të cilin është diskutuar lidhur me Ligjin për Diasporën dhe përfaqësimin e diasporës në zgjedhjet, përkatësisht në jetën politike në Kosovë, Gashi mes tjerash foli edhe për kanalin e veçantë televiziv për diasporën.
“Ideja e ministrisë ka qenë që ky kanal të hapet në kuadër të televizioneve publike në Shqipëri dhe në Kosovë me një marrëveshje mirëkuptimi mes këtyre dyjave. Ne si ministri, unë si ministër kategorikisht e refuzojmë cfarëdo ideje që kjo redaksi apo ky kanal të jetë entitet i ndarë dhe me seli diku në diasporë. Kjo nu8k ka qenë asnjëherë iniciativa e as ideja jonë”, tha Gashi.
Me këtë rast, ministri Gashi vuri në dukje angazhimet e ministrisë për hartimin e një projektligji sa më gjithëpërfshirës për diasporën, ndërkaq, nënvizoi se arsyet themelore për hartimin e tij janë: definimi i statusit të qendrave kulturore, mënyra e komunikimit me diasporën, përfshirja e të rinjve nga diaspora, orientimi i remitencave nga diaspora, mbledhja e të dhënave të pjesëtarëve të diasporës, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me ta.
Ministri me këtë rast vlerësoi se, për të arritur objektivat e këtij projektligji është i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë me komisionin, dhe vlerësoi se, gjatë kësaj faze, konsultimet ndërmjet ministrisë, komisionit dhe diasporës duhet të ndodhin jashtë vendit, aty ku diaspora është duke jetuar.
Anëtarët e komisionit, pasi që shpalosën opinionet e tyre lidhur me punën e deritanishme të ministrisë lidhur me këtë projektligj, u shprehën të gatshëm për një bashkëpunim të ngushtë deri në miratimin final të Ligjit.