Ditët e Kulturës Shqiptare në Danimarkë

Me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në  bashkëpunim me  Ambasadën e Shqipërisë në Danimarkë, Konsullatën e Kosovës në Danimarkë, Komunën e Herlevit dhe me bashkatdhetarët që jetojnë në Danimarkë, u organizuan “Ditët e Kulturës Shqiptare”.

Në prani të një numri të madh të bashkatdhetarëve, ky aktivitet filloi me një mbrëmje kulturore, për të vazhduar me promovimin e librave ”(Mos) Zyrtarizimi i Gjuhës Shqipe në Republikën e Maqedonisë”, i autorit  Arsim Sinani, dhe  ”1803”, roman i shkrimtarit shqiptar nga Austria z. Besim Xhelili. Po ashtu, u bë promovimi i romaneve të znj.Elhame Gjyrevci, e cila jeton dhe vepron në Danimarkë.

Të pranishmit patën rastin  ta shohim edhe ekspozitën me punime të bëra me gjilpërëza, e autorit tetovar Zeqir Mehmeti.

Kjo mbrëmje kulturore u pasurua me këngë të mirëfillta shqipe, interpretuar nga këngëtarë shqiptarë që jetojnë në këtë shtet skandinav.  Në këtë aktivitet kulturor morën pjesë zv.ministri i MDIS-it, Arian Daci,  konsulli i Republikës së Kosovës në Danimarkë, z. Arton Krasniqi, këshilltari i Ministrit të Diasporës së Maqedonisë, z. Rexhep Saliu, dhe bashkatdhetarë të tjerë.

Në fund të kësaj ngjarjeje kulturore u shfaq filmi për Skënderbeun.

Ditët e kulturës do të përfundojnë më 9  nëntor, kur do të shfaqen filma shqiptarë .