Dardan Gashi: Do krijojmë edhe lidhje turizmi me arbëreshët

Zëvendëskryeministri dhe njëherit minister i Diasporës dhe  Investimeve Strategjike, Dardan Gashi ka shtruar një darkë përshëndetëse për Arbëreshët e Italisë të cilët po qëndrojnë në Kosovë, në kuadër të organizimit për “Ditët e Arbëreshëve”. Në darkë pjesmarrës ishin edhe përfaqësues nga KFOR-i, dhe ambasada italiane. Gjithashtu të prezent ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme Behxhet Pacolli dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala. Ministri Gashi duke i falenderuar të gjithë mysafirët për pjesmarrje, ka thënë se ndihet i lumtur që ky organizim rezultoj i suksesshëm duke forcuar edhe me shumë lidhjen mes arbëreshëve dhe Kosovës, si tokë e tyre e parë. Gashi ka shtuar se bashkë me ministrin Shala dhe Pacolli po shohin mundësitë që me arbëreshët të krijojnë edhe lidhje turizmi. Ndërsa ministri Pacolli dhe Shala, duke uruar zëvendëskryeministrin Gashi për organizimin janë zotuar se do ta përkrahin dhe mbëshesin çdo projekt që është në interes të fuqizimit të lidhjes me arbëreshët, të cilët përkundër kalimit të kohëe, po ruajnë me fanatizëm traditën shqiptare. Grupi i Arbëreshëve, kanë shprehur falenderime të veçanta për minstrin Gashi, duke theksuar se puna që ai ka bërë për ta, nuk do mund të kompensohet asnjëherë. Darka ka përfunduar me muzikë dhe atmosferë festive.